Pse zgjodha Vivaldi: Një browser që i përshtatet mënyrës sime të punës

Facebook
Twitter
LinkedIn

Emri i browserit Vivaldi nuk ishte i ri për mua. E kisha provuar edhe më parë, por nuk më kishte ngjitur. Prej shumë vitesh jam një fans i madh i Mozilla Firefox dhe tre vitet e fundit kisha kaluar te Firefox Developer Edition. Më dukej se aty gjeja balancën mes fuqisë, privatësisë dhe fleksibilitetit. Por, në të njëjtën kohë, gjatë kërkimeve për platforma dhe programe të ndryshme, shpesh ndeshesha me extensions apo plugins që funksiononin vetëm në Google Chrome. Kjo më shtyu të kërkoja një browser të bazuar në Chromium – por jo Google Chrome.

Në kompjuterin që përdorim në familje, gjenden të instaluar një sërë browser-ash: Firefox, Firefox për Zhvilluesit, Google Chrome, Microsoft Edge dhe Brave. Kjo për shkak se secili prej nesh përdor një browser të ndryshëm, për të mos u ngatërruar me llogaritë personale. Unë përdorja Firefox, gruaja Chrome, ndërsa djali kaloi nga Edge tek Brave, të dy këta browsera janë të bazuar në Chromium. Edge futet në të njëjtën kategori browseri si Chrome, kështu që jo. Në këtë “ekosistem” shfletuesish, mendova t’i jepja një shans të dytë Vivaldi-t.

Pse jo më vetëm Firefox

Firefox është një browser i fuqishëm, i sigurt dhe mbi të gjitha opensource, me një komunitet të gjallë. Megjithatë, së fundmi kisha filluar të vëreja ngadalësime dhe bllokime, sidomos kur punoja me grupe të mëdha tabs-ash (disa prej tyre me mbi 200 tabs!). Kërkoja një browser që, përveçse të ishte i bazuar në Chromium, të kishte edhe fokus tek siguria dhe privatësia. Këtu Vivaldi më dha besim, duke ofruar mbështetje për motor kërkimi si StartPage dhe një qasje më të drejtpërdrejtë ndaj bllokimit të reklamave dhe ndjekësve online.

Çfarë më bëri përshtypje tek Vivaldi

Vivaldi më duket dukshëm më i shpejtë në përgjigje sesa Firefox, edhe pse nuk e kam vënë në të njëjtën “ngarkesë ekstreme” që i bëja Firefox-it. Gjithsesi, shpejtësia dhe optimizimi i burimeve më lanë përshtypje pozitive.

Një pikë e fortë e Vivaldi-t është personalizimi. Nga pamja e ndërfaqes deri te mënyra si menaxhohen tabs-at, çdo gjë mund të përshtatet sipas stilit të përdoruesit. Për dikë si unë që kalon orë të tëra duke punuar në shfletues, ky fleksibilitet është i rëndësishme.

Veçori tjetër që më tërhoqi është fakti që Vivaldi ka klient e-maili të integruar, një funksionalitet që më kujton kohët e hershme të Netscape Navigator. Nuk është diçka që e përdor, por e shoh si një shtesë që e bën browserin më të plotë.

Mbi të gjitha, më pëlqen mënyra se si Vivaldi trajton bllokimin e reklamave dhe ndjekësve – më agresiv dhe me më shumë kontroll në krahasim me Firefox.

Diçka që nuk më pëlqen te Vivaldi, është kur kërkon hapjen e një linku në një tab të ri apo kur lëviz një tab nga një grup në tjetrin, fokusi shkon te tabi i ri apo grupi i ri dhe nuk kam gjetur ndonjë opsion për ta ndryshuar këtë, gjë që Firefox e ka.

Grupimi i tabs-ave në Firefox realizohej me extension ndërkohë te Vivaldi, vetë browseri ofron grupime që i quan Workspaces. Çdo workspace mund të identifikohet me emër dhe një ikonë, por ikonat këtu janë të kufizuara, jo si në rastin e Firefox ku mund te vendosje ikonë të personalizuar.

Shpejtësia dhe burimet

Nuk do të thosha se Vivaldi konsumon shumë më pak RAM apo CPU sesa Firefox, por ajo që vërej është se i menaxhon më mirë burimet dhe përgjigjet më shpejt ndaj komandave. Në përdorim praktik, kjo do të thotë punim më i shpejtë dhe pa bllokime të aplikacionit kur hap disa faqe njëherësh ose kur kaloj mes tabs-ave.

Privatësia dhe siguria

Privatësia dhe siguria për mua janë shumë të rëndësishme. Nga çfarë kam parë deri tani, Vivaldi po bën një punë të mirë. Përveçse nuk mbledh të dhëna për përdoruesin, ofron edhe sinkronizim me enkriptim të dyanëshëm, gjë që më bën të ndihem më i sigurt kur e përdor në pajisje të ndryshme.

A ia vlen Vivaldi?

Nëse dikush më pyet: “A ia vlen të kaloj tek Vivaldi?”, përgjigjja ime është e thjeshtë: Provoje. Përdore për disa javë dhe shiko nëse i përshtatet stilit tënd. Për mua personalisht, Vivaldi është një alternativë shumë më e mirë se Chrome, madje edhe më praktik se Firefox në disa aspekte. Unë nuk do ta heq Firefox nga kompjuteri. Aid otë jeta gjithmonë me mua, në çdo rast që mund të më nevojitet.

Tani për tani, mendoj se Vivaldi do të jetë browseri im i përditshëm. Është shpejt, fleksibël, i fokusuar tek privatësia dhe sjell veçori që nuk i gjen në browser-at e tjerë.

Lexo më tej

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *